Ndikimi i globalizimit në ekonominë shqiptare

Megi Bega
5 min readNov 28, 2020

--

Globalizimi është një temë që diskutohet çdo ditë në përditshmërinë tonë, ndonëse nuk e vëmë re këtë gjë sepse nuk i referohemi me termin globalizim. Diskutimi përfshinë markën më të fundit të teknologjisë të prodhuar në SH.B.A , Kinë, Indi,etj; veshjet e produktet kozmetike tona të preferuara, të cilat janë prodhuar në vendet perëndimore; apo qoftë edhe ushqimet dhe erëzat e ndryshme që vinë nga vendet e lindjes. Pikërisht të gjitha këto shembuj tregojnë se sot më shumë se kurrë njerëzit e të gjithë botës janë të lidhur me njëri tjetrin. Sigurisht që këtë lidhje dhe ndërveprim midis vendeve ndër të tjera i atribuohet globalizimit. Globalizimi përgjatë viteve ka pasur disa përkufizime por me evoluimin e kohës kanë evoluar edhe ato. Megjithatë unë mendoj se përkufizimi që i qëndron më për shtat është ai i Martin Albrow i dhënë në vitin 1990. Globalizimi i referohet të gjitha atyre proceseve me anën e të cilave njerëzit e kësaj bote janë inkorporuar në një shoqëri të vetme botërore, shoqëri globale.[1]

Veç përkufizimit është evoluar edhe globalizimi si proces. Sot ekzistojnë tetë prirje kryesore: globalizmi financiar, ekonomik, teknologjik, politik, kulturor, ekologjik, sociologjik, dhe ai gjeografik. Sigurisht që globalizimi ka pasur një impakt mjaft të madh në zhvillimin social, kulturor e mbi të gjitha ekonomik të botës. Por në këtë shkrim po ndalem më së shumti në impaktin e globalizimit në ekonominë shqiptare dhe më konkretisht në impaktin e globalizimit ekonomik, politik dhe atë social.

Krahasuar me vendet e tjera të rajonit apo edhe me Evropën në përgjithësi, Shqipëria ka pasur një përqasje më të ngadaltë me globalizimin. Kjo për shkak te mbizotërimit prej 45 vitesh komunizëm, gjë që solli një izolim të vendit tonë si në aspektin ekonomik, social dhe atë politikë. Globalizimi i ekonomisë nënkupton një rritje të aktivitetit ekonomik nëpërmjet shteteve. Ky aktivitet shfaqet në formën e tregtisë tregtare, investimeve te huaja direkte dhe integrimin e tregjeve te kapitalit.[2] Tregtia ndërkombëtare dhe investimet e huaja direkte përbëjnë dy format kryesore të shfaqjes së globalizmit në ekonominë shqiptare.[3]

Megjithatë shenja të globalizmit ka patur edhe në periudhën diktatoriale. Në vitin 1939 Shqipëria nënshkroi një marrëveshje ekonomike me Jugosllavinë. Marrëveshje kjo që rezultoi shumë e dobishme për ekonominë e asaj kohe. Ndihmesa e Jugosllavisë përpos asaj monetare ishte edhe në ndërtimin e fabrikave, rrugëve dhe centralit telefonik. ‘Ne vitin 1947 ndihmesa me 2 miliardë lekë përbënte 56.73% të buxhetit vjetor ndërsa ndihmesa me 3 miliardë leke e vitit 1948 përbënte 48.3% të buxhetit vjetorë të Shqipërisë. Në të njëjtën kohë, gjatë vitit 1947, Shqipëria kishte eksportuar në Jugosllavi mallra me vlerë 240 milionë lekësh.’[4]

Kalimi nga një ekonomi e planifikuar në një ekonomi tregu bëri që globalizimi i çfarëdolloj forme të merrte një hovë mjaft të madh. Sigurisht që ky proces u shoqërua edhe me problematika të shumta ku ndër më kryesoret ishin ato të hartimit të politikave të përshtatshme për lehtësimin e proceduarave dhe asocimit sa më të shpejtë të Shqipërisë me botën perëndimore. Pikënisje e globalizimit në Shqipërinë post-koministe dhe ky kalim është ndryshimi në Kushtetutën e vitit 1991. Në artikullin 10 përshkruhet rendi i ri ekonomik si : ‘Ekonomia e vendit bazohet në shumëllojshmërinë e formave të pronësisë, në iniciativën e lirë të të gjithë subjekteve ekonomike dhe rolin rregullator të shtetit, gjithashtu në iniciativën ekonomike të personave fizikë dhe juridikë. “[5]

Ngjarje shumë të rëndësishme të cilat sollën zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë janë përfshirja në Organizatën Botërore të tregtisë ne vitin 2000, nënshkrimi i një sërë marrëveshjesh të tregtisë së lirë me vendet e rajonit por jo vetëm. Ndër këto marrëveshje përmendim marrëveshjen me vendet anëtare të CEFTA ne 2006, marrëveshja e tregtisë së lirë me Turqinë në vitin 2006, marrëveshja e stabilizim asocimit me Bashkimin Evropian ne vitin 2006, marrëveshja e tregtisë së lirë me vendet anëtare të EFTA-S ne 2011, dhe marrëveshja e nënshkruar së fundmi e quajtur si Mini schengeni Ballkanik. Aspekti pozitiv i të gjithë këtyre marrëveshjeve është heqja e tarifave doganore, lehtësimi i proceseve të import-eksportit, unifikimi i vendeve duke hapur kufijtë dhe duke lejuar lehtësira transporti, tregtie, që sjellin dhe investime të huaja në Shqipëri. Gjithsesi nëse bëjmë një krahasim me vendet e Ballkanit Perëndimor në fund të vitit 2017, indeksi i globalizimit ekonomik të Serbisë ishte 73.42%, Maqedonisë 71.3%, Mali i Zi 78.6% dhe ai i Shqipërisë 69.92%. [6] Pra, gjendemi më keq se vendet e rajonit.

Hapja e kufijve me vendet e perëndimit solli dhe një ikje masive të shqiptareve. Përpos emigrimit, migrimi gjithashtu ishte i madh. Shumë njerëz u shpërngulën nga zonat rurale në ato urbane. Ky është një shembull i globalizmit social demografik i cili solli pasoja në ekonominë shqiptare për sa i përket krahut të forcës punëtore. Remitancat përbëjnë rreth 13.7% të GDP përgjatë 2004, e konsideruar më e lartë se investimet e huaja direkte.[7] Forca punëtore me kosto të ulëta është bërë shkak i shumë investimeve te huaja në Shqipëri. Shumë kompani te huaja janë afruar në sektorin e telekomunikacionit dhe atë të shërbimeve. Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) është një tjetër investim shumë i frytshëm për ekonominë shqiptare. ‘Kulmin e zhvillimit ekonomik shqiptare pritej të arrihej në vitin 2017 duke krijuar një GDP te vlerësuar 39 milion euro dhe duke ndihmuar me 4400 punë. Në vitin 2019 ky zhvillim pritet të ulet me duke kontribuar 7.6 milion euro në GDP dhe krijuar 190 vende pune.’[8]

Globalizimi politikë i referohet zgjerimit të një sistemi politik global dhe institucioneve të tij, në të cilat menaxhohen transaksionet ndër-rajonale.[9] Shqipëria ka bërë hapa premtues por ka ende shumë punë për të arritur në të njëjtin zhvillim me vendet e rajonit. Marrja e statutit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian në vitin 2014 është një hap i rëndësishëm e me shumë peshë për Shqipërinë. Kjo u shoqërua me nënshkrimin e marrëveshjes së stabilizim asocimit dhe heqjen e vizave për qytetarët shqiptar për të udhëtuar në zonën Shengen. Gjithashtu rivendosja e marrëdhënieve me FMN ne 1997 e rriti PBB me 7% në vit.[10] Hyrja e Shqipërisë në WTO ishte një lajmë i mirë për ekonominë shqiptare pasi u hoqën shumë barriera. Megjithatë edhe në këto kushte Shqipëria gjendet më keq se vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Në vitin 2017, indeksi i globalizmit politikë të Serbisë ishte 87.02%, Maqedonisë 72.24%, Mali i Zi 60.55%, Bosnjë Hercegovina 76.55% ndërsa i Shqipërisë 64.12%.[11]

Ndonëse Shqipëria gjendet më mirë në krahasim me vitet e kaluara si në aspektin ekonomik, social dhe atë politikë, kjo për shkak të globalizmit, duhet ende shumë punë dhe përpjekje serioze dhe të vazhdueshme në mënyrë që të arrijmë në ato standarde jetese si të vendeve të tjera të rajonit dhe të Bashkimit Evropian. Unë mendoj se duke zbatuar politikat e duhura makroekomike si dhe duke ndjekur shembullin e vendeve që e kanë kaluar këtë proces para nesh do të jemi në rrugën e duhur.

[1] Albrow M., King E., Globalization, Knowledge and Society: Readings from International Sociology, faqe 9.

[2] Skufi M., (2013), Globalizimi dhe Politikat Rekrutese të Menaxherëve, faqe 4.

[3] Skufi M., (2013), Globalizimi dhe Politikat Rekrutese të Menaxherëve, faqe 9.

[4] Kristafi. L., Marrëdhëniet e Shqipërisë me Jugosllavinë 1945–1948.

[5] Papajorgji E., GLOBALIZATION, LAW AND PRIVATIZATION IN ALBANIA, faqe 4.

[6] Gygli, Savina, Florian Haelg, Niklas Potrafke and Jan-​Egbert Sturm (2019): The KOF Globalisation Index — Revisited, Review of International Organizations, 14(3), 543-​574

[7] Ymeraj A., Social reform in Albania and Globalization.

[8] Oxford Economics, The economic impact of the Trans-Adriatic Pipeline on Albania, A report for TAP AG, faqe 1–2.

[9] George Modelski; Tessaleno Devezas; William R. Thompson (20 December 2007). Globalization as Evolutionary Process: Modeling Global Change. Routledge. p. 59. ISBN 978–1–135–97764–1.

[10] Banka e Shqipërisë.

[11] Gygli, Savina, Florian Haelg, Niklas Potrafke and Jan-​Egbert Sturm (2019): The KOF Globalisation Index — Revisited, Review of International Organizations, 14(3), 543-​574

--

--

Megi Bega

I am an economics student with a passion of writing.